I ftuar në studion e Fax News ditën e sotme ishte ish-deputeti Halit Valteri. Për gazetarin Albi Rakip ai komentoi aktualitetin në vend që lidhet me hetimet e SPAK ndaj Berishës dhe çështje të tjera të drejtësisë.
Sipas tij, është e pritshme që Berisha të shkelë vendimet e gjykatës. Ish-kryeministri, thotë Valteri, po kërkon të martirizohet, pasi kjo është e vetmja vegël që i ka mbetur për të qenë në tregun politik.
Valteri shton, se prokurorët nga ana e tyre duhet të dëshmojnë kurajo dhe se ka ardhur fund koha kur nuk prekeshin ata që konsiderohen “të paprekshëm”.
Halit Valteri: Është e pritshme që Berisha të shkelë vendimet e Gjykatës. Po kërkon të martirizohet. Kërkon që Gjykata të marrë një masë tjetër atë me burg. Që të ngrejë kauzën që nuk po arrestohet për korrupsion por është politike. Është e pritshme. Më intereson fakti se si drejtësia shqiptare do funksionojë dhe do ia dalë ta marrë përsipër këtë peshë që njerëzit që e kanë menduar veten të paprekshëm të dalin para drejtësisë. Nëse dikush tjetër do ta bënte këtë gjë do të ishte prapa hekurave. Martirizimi është e vetmja vegël, që i ka mbetur për të mbetur në treg politik. E zëmë se Berisha lajthit dhe merr automatikun, drejtësia çfarë do bëjë? Ata prokurorë që paguhen me shuma të majme a funksionojnë njësoj me të gjithë, apo kanë komplekse ndaj një personi që ka sunduar për 30 vite. A do merremi një për një me prokruorët ashtu si merret Berisha me ta?!