Turizmi ishte kryefjala e vitit 2023 për Shqipërinë. Qeveria e kryeministrit Edi Rama u mburr në fund të vitit me faktin se vendi u vizitua nga më shumë se 10 milionë turistë të huaj, ndërkohë që mediat e huaja vazhdojnë të bëjnë jehonë si një ndër destinacionet tërheqëse edhe për këtë vit.
Megjithatë, industria e turizmit në Shqipëri nuk ofron mundësi të barabarta për të gjithë. Një ndër kategoritë e përjashtuara janë personat me aftësi të kufizuara, nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.
“Turizmi është një e drejtë e mohuar për personat me aftësi të kufizuara,” thotë Suela Lala, drejtuese e fondacionit “Së Bashku”.
“Në radhë të parë për ne që jemi qytetarë shqiptarë dhe nuk mund të shijojmë bukuritë e vendit tonë, por në të njëjtën kohë edhe për turistët e huaj, një pjesë e të cilëve janë të moshuar, por edhe me aftësi të kufizuara,” shtoi ajo.
Turizmi i aksesueshëm nuk është vetëm një përgjegjësi sociale, por edhe një mundësi e mirë për konkurrueshmëri me vendet e tjera turistike të Europës. Megjithatë, përfaqësues të personave me aftësi të kufizuara dhe operatorët turistikë bien dakord se Shqipëria nuk është e gatshme që të akomodojë turistë shqiptarë dhe të huaj me aftësi të kufizuara.
Ekspertët theksojnë se mungesa e aksesit është e shumëllojshme, duke nisur nga transporti, tek investimet publike apo te strukturat e hotelerisë.
Arjana Isaku, një operatore turistike me përvojë 20-vjeçare i tha BIRN se ndonëse tregu i huaj shfaq interes për turizmin e aksesueshëm, ajo që vendi ofron është e mangët.
“Opinioni i të huajve është se vendi ynë ka mangësi në drejtim të aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara. Strukturat akomoduese ku ekzistojnë rampat janë të pamjaftueshme. Janë shumë pak, ose aspak,” tha Isaku, duke shtuar se në vende të tjera turistike infrastruktura e posaçme ekziston deri në detaje.
Rritja e numrit të turistëve gjatë vitit 2023 përfshin edhe personat e moshës së tretë, ata me aftësi të kufizuara apo prindër me fëmijë të vegjël. Tirana dhe Durrësi janë portat kryesore hyrëse, të cilat do të duhet të përshtasin zinxhirin e shërbimeve dhe strukturave akomoduese në përputhje me nevojat e kësaj kategorie.
Ekspertja e turizmit, Flora Xhemani Baba është megjithatë pesimiste për gjendjen e aksesueshmërisë për turistët me aftësi të kufizuara.
“Për fat të keq, deri më sot pak ose aspak është menduar për ta. Përveç rampave në një pjesë të hoteleve, nuk ka kushte që të mundësojnë pushimet e tyre. Edhe shumë muze nuk kanë rampa….Ç’kushte u ofrojmë ne këtyre turistëve?! Çfarë infrastrukture?! Ka ardhur koha të diskutohet mbi këtë lloj turizmi dhe çështja të trajtohet me seriozitet,” thotë ajo.
Personat me aftësi të kufizuara, që shpesh grupohen në shoqata, e ndjejnë veten të pafuqishëm për të ndryshuar realitetin e tyre, si gjatë jetës së përditshme apo edhe gjatë periudhës së pushimeve.
Saimir Farrici, drejtues i shoqatës “Shpresë për të Verbërit” thotë se për ta nuk ofrohet asnjë mundësi për pushime apo përvoja tërheqëse kaq të nevojshme për çdo qenie njerëzore. Kjo për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe infrastrukturës për të verbërit.
“Aksesueshmëria është problem kudo. Hotelet janë të paaksesueshme. Po ashtu dhe rrugët, muzetë dhe plazhet,” tha Farrici për BIRN.
“Nëse nuk je i shoqëruar, nuk ke akses as në përditshmëri, as në turizëm,” shtoi ai.
Edhe për kryetaren e shoqatës së para-tetraplegjikëve në Durrës, poeten Adivije Hoxha, të pushosh në kushtet e paaksesueshmërisë është e pamundur.
“Në Shqipëri nuk ka asnjë plazh të aksesueshëm. Duhet kuptuar që aksesi nuk është thjesht ajo rrugina gjer afër detit, por ka dhe shumë elemente të tjera brenda në ujë,” tha Hoxha.
Një pjesë e infrastrukturës mund të gjendet vetëm në hotele të shtrenjta, të cilat sipas Hoxhës nuk mund të përballohet nga kjo kategori sociale. Megjithatë, ajo shtoi se edhe në këto hotele nuk gjenden tualete të përshtatura për ta.
Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka përshtatur legjislacionin për përmirësimin e kushteve në favor të personave me aftësi të kufizuara, por pak ndryshime kanë ndodhur realisht.
Sipas raportit të Progresit të BE-së për Shqipërinë 2022, “nuk është bërë përparim në të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe se nevojiten përpjekje më të fuqishme për të trajtuar një sërë problematikash, duke nisur nga diskriminimi dhe dhuna kundër personave me aftësi të kufizuara, përmirësimi i aksesit të përgjithshëm dhe mbledhjes së të dhënave statistikore për gjendjen e tyre”.
Aksesi në turizëm është vetëm një nga sektorët ku vendi dështon që të ofrojë shërbimin e nevojshëm.
“Turizmi ende nuk i merr në konsideratë dhe personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht sitet e trashëgimisë kulturore janë tërësisht të paaksesueshme, si Muzeu i Krujës, Amfiteatri i Durrësit, apo kalatë e ndryshme nëpër Shqipëri nuk kanë fare akses,” thotë Suela Lala nga fondacioni “Së Bashku”.
“Po ashtu edhe eksplorimi i natyrës, hoteleria nuk është aty ku duhet, veçanërisht jashtë Tiranës dhe Durrësit ku ka njëfarë zhvillimi pozitiv,” shtoi ajo.
Drejtori i Qendrës Muzeore të Durrësit, Alban Ramohitaj i tha BIRN se rikonstruksioni që po kryhet në Muzeun Rajonal Arkeologjik do të marrë parasysh edhe nevojat e PAK. E njëjta gjë nuk mund të thuhet akoma për Muzeun Etnografik ku ndodhet dhe shtëpia muze e aktorit Aleksandër Moisiu, pasi nuk ka nisur ende rikonstruksioni i tij.
Edhe pse mungesa e aksesit është një problem i gjithëpërhapur, gjatë viteve të fundit ka pasur nisma të izoluara për të ofruar plazhe të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.
Në vitin 2022 në Golem të Kavajës u hap një plazh i posaçëm për personat me aftësi të kufizuara, ku ndodhej edhe një karrige pluskuese në det, por brenda një viti plazhi u bë i paaksesueshëm. Shkaku: Bashkia e Kavajës nuk arriti ta mirëmbante atë!/ BIRN