Megaoperacioni policor “Tempulli 2” vijon në mbarë vendin. Në qytetin e Lezhës, policia ka arrestuar një 21-vjeçar që posedonte sasi kanabisi.
Ky shtetas po lëvizte me automjetin e tij. Sapo ka parë policinë ai ka hedhur nga automjeti çantën me doza kanabisi, të cilën do ta shpërndante për ta shitur.
Në vijim policia ka bërë të mundur arrestimin e 21-vjeçarit Xh.D., banues në Lezhë si dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale çantën me kanabis.
Njoftimi i Policisë:
Lezhë/Një tjetër goditje në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2”, ndaj veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.
Sapo pa shërbimet e Policisë, hodhi nga dritarja e automjetit me të cilin lëvizte, çantën e dorës me sasi cannabisi, të cilën e kishte siguruar për ta shitur në doza, arrestohet në flagrancë 21-vjeçari.
Sekuestrohet sasia e cannabisit.
Në vijim të patrullimeve dhe kontrolleve të kryera 24/7, nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, është konstatuar gjatë lëvizjes në lagjen “Kodërmarlekaj”, automjeti ku ishte pasagjer shtetasi Xh. D..
Ky shtetas, sapo ka konstatuar praninë e shërbimeve të Policisë, ka hedhur nga dritarja e automjetit, një çantë dore, me një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të gatshme për t’u ndarë në doza, me qëllim shitjen.
Në vijim të veprimeve proceduriale është arrestuar dhe vënë në pranga Xh. D., 21 vjeç, banues në Lezhë, si dhe është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sasia e lëndës narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.