Një 34-vjeçar i shpallur në kërkim ka rënë në prangat e policisë në Lushnjë. E.U., banues në qytetin e Lushnjës dyshohet se dy ditë më parë sipas policisë, ka dhunuar bashkëshorten e tij.
Shërbimet e patrullës së Komisariatit të Lushnjës bënë të mundur kapjen e tij, ndërsa bashkëshortja u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Njoftimi i Policisë:
DVP Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të këtij Komisariati, kapën dhe ndaluan shtetasin E. U., 34 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi dyshohet se më datë 17.02.2024, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes se tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
–
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. H., 26 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. F., 20 vjeç, banues në fshatin Qarr, Fier, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. B., banues në Ballsh, pasi ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e tij, në fshatin Panahor, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë dëmtuar disa pemë ulliri, në tokën e një shtetasi tjetër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.