Numri i diplomave në sistemin universitar shënoi rënie drastike në vitin akademik 2022-2023, duke sinjalizuar se ekonomia e vendit do të përballet me mungesë ekspertësh pothuajse në të gjitha fushat në të ardhmen e afërt. Të dhënat e zyrtare të INSTAT referojnë se në vitin në vitin akademik 2022-23, u diplomuan në 13,808 studentë në ciklin e studimeve “Bachelor” me rënie vjetore 13,8 për qind.
Në arsimin e lartë u diplomuan gjithsej 27.991 studentë. Studentët e diplomuar në programet Bachelor përbëjnë 49,3% e studentëve të diplomuar gjithsej, ndjekur nga programet Master me 44,6%. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në këtë vit akademik, u diplomuan 18.241 studente femra, ose 65,2% e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë.
Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 25,4% ose një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve, si për femrat dhe për meshkujt.
Fusha e dytë më e preferuar nga meshkujt është “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 22,5% të të diplomuarve meshkuj. Ndërsa, nga femrat gjithsej të diplomuara, fusha e dytë më e preferuar është “Shëndet dhe mirëqenie” me 22,9% të të diplomuarave.
Analizuar për secilën fushë veças, fushat në të cilat janë diplomuar më shumë femrat krahasimisht me meshkujt janë “Arsim” (82,6%), ndjekur nga “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” (80,5%) dhe “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” (79,7%).
Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt krahasimisht me femrat janë “Shërbime” (68,8%), “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (62,5%), dhe “Teknologji e informacionit dhe komunikimit” (58,5%). Në vitin shkollor 2022-23, u diplomuan në arsimin zyrtar 83.548 nxënës dhe studentë, 34,1 % në arsimin 9 vjeçar, 32,4% në arsimin e mesëm dhe 33,5% në arsimin e lartë.
Arsimi Parauniversitar (deri i mesëm i lartë) Në vitin shkollor 2022-23, në arsimin 9-vjeçar u diplomuan 28.488 nxënës, nga të cilët 52,6% ishin djem dhe 47,4% vajza. Në arsimin e mesëm u diplomuan 27.069 nxënës, 47,2% djem dhe 52,8% vajza. Në arsimin profesional u diplomuan 3.212 nxënës, 82,3% djem dhe 17,7% vajza. Të diplomuarit e arsimit profesional përbëjnë 11,9% të të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm./monitor