Tre persona jane arrestuar dhe dy janë proceduar penalisht ditën e sotme në Elbasan. Mësohet se mes të arrestuarve është një 29-vjeçar i cili është vënë në pranga pasi ka dhunuar bashkëshorten e tij.
Më tej në njoftimin e policisë bëhët me dije se në pranga është vënë edhe një 28-vjeçar pasi Gjykata e Korçës e kishte dënuar me 18 ditë burgim, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Gjithashtu në pranga është vënë një 27-vjeçar pasi ka shkaktuar një aksident në aksin rrugor “Cërrik-Gostimë”.
Sipas njoftimit të policisë automjeti që i arrestuari drejtonte ka përplasur një karrocë të tërhequr me kafshë, që drejtohej nga një 67-vjeçar. Si pasojë është dëmtuar i moshuari i cili është në kujdesin e mjekëve.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan/ Komisariati i Policisë Elbasan: -arrestoi në flagrancë shtetasin P. T., 29 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-ndaloi shtetasin në kërkim J. M., 28 vjeç, banues në fshatin Godolesh, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë e ka dënuar me 18 ditë burgim, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Sektori i Qarkullimit Rrugor: -arrestoi në flagrancë shtetasin G. B., 27 vjeç, banues në Cërrik, pasi mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Cërrik-Gostimë”, automjeti që ky shtetas drejtonte ka përplasur një karrocë të tërhequr me kafshë, që drejtohej nga shtetasi P. S., 67 vjeç. Si pasojë është dëmtuar shtetasi P. S., i cili është në kujdesin e mjekëve;
-referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. K., 57 vjeç, banues Maqedoninë e Veriut, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, automjeti që ky shtetas drejtonte ka përplasur automjetin me drejtuese shtetasen L. D., 51 vjeçe. Për pasojë janë dëmtuar lehtë shtetasja L. D. dhe 2 pasagjerë në automjetin e saj.
Komisariati i Policisë Librazhd referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Ç., 42 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Komisariati i Policisë Gramsh referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. B., 37 vjeç, banues në Gramsh, pasi ka goditur me grushte dhe shkelma, një 25-vjeçar, për motive të dobëta. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.