Ekipi i futbollit Partizani doli kampion gjatë sezonit 2022-2023 dhe drejtuesit e klubit kanë tërhequr çmimin prej 15 milionë lekësh që jep bashkia e Tiranës me këtë rast. Për ta dorëzuar çekun me 15 milion lekë, të cilat u dhanë me vonesë pavarësisht kërkesave nga klubi, Kryebashkiaku Erion Veliaj kishte organizuar një ceremoni ku morën pjesë presidenti Gaz Demi, deputeti dhe tifozi i Partizanit, Erjon Braçe, ish-lojtari Perlat Musta etj.
Në këtë ceremoni u vu re mungesa e Olsi Ramës, numri dy i klubit Partizani. Olsi Rama nuk iu përgjigj ftesës së Erjon Veliajt, megjithëse i kishte kërkuar paratë që në janar të këtij viti. Konkretisht, nuk dihet nëse Olsi Rama ka pasur një arsye të fortë për të mos u bërë pjesë e ceremonisë, por që nga janari emri i tij dhe i Veliajt janë përmendur në dy çështje madhore.
Rasti i parë ishte vjedhja që u zbulua në bashki me kompaninë “5D” dhe pak ditë pasi SPAK lëshoi urdhër-arrestet për drejtorët e Veliajt, opozita publikoi të dhëna nga sistemi TIMS, sipas të cilave Olsi Rama kishte përdorur të njëjtën makinë që përdornin grupi i trafikantëve të laboratorit të kokainës së Xibrakës. Olsi Rama mohoi përfshirjen në trafikun e drogës, por pranoi se njihte një nga personat e dosjes.
Ngjarjet u panë si dy episode shkak-pasojë e lojës për pushtet në PS. Sipas këtyre zërave, të dhënat e TIMS për Olsi Ramën ranë në duart e opozitës për të baraspeshuar skandalin e drejtorëve të Veliajt. Ky skenar mbeti në nivel thashethemesh. Të tjerë thonë se refuzimi i ftesës për të takuar Veliajn këtë të shtunë, është një tregues të “luftës së brendshme” në PS.