Liderja e ekstremit të djathtë ‘Tubimi Kombëtar’ në Francë, Marine Le Pen ka kërkuar sërish mbështetjen absolute të votuesve francezë që partia e saj të mund të qeverisë vendin, por ka theksuar se ajo vetë nuk do të jetë pjesë e qeverisë.
“Ne dëshirojmë të qeverisim”, theksoi ajo.
Për më tepër, Le Pen sqaroi se nëse Tubimi Kombëtar vjen në qeveri me kryeministër Jordan Bardella, ajo do të vazhdojë të jetë kryetare e grupit parlamentar të partisë së saj.
“Unë do të jem në krye të grupit të deputetëve”, tha Le Pen.
E pyetur nëse do t’i bashkohej një grupi të ri politik evropian të formuar nga kryeministri hungarez Viktor Orbán, ajo tha se Tubimi Kombëtar do të shikojë se çfarë është në tryezë, pas raundit të dytë të zgjedhjeve franceze.
Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen dhe Jordan Bardelles fitoi raundin e parë të zgjedhjeve në Francë, duke marrë 29.2% të votave, ndërsa blloku i ekstremit të djathtë mari totalisht 33.1% të votave.
Fronti i Ri Popullor mori 27.9% të votave, ndërsa aleanca e presidentit Emmanuel Macron vetem 20%, duke marrë një tjetër goditje pas asaj në zgjedhjet për Parlamentin Europian.