Policia ka vendosur në pranga Xhelal Rrajën, vëllain e ish-deputetit të PS-së Rrahman Rraja. Pas një pune të mirëfilltë hetimore, është bërë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Xh. Rr.
Xh. Rr. ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.
Operacioni “Revanshi” u zhvillua në datat 17 dhe 18 maj dhe një pjesë e mirë e personave ndaj të cilëve u lëshuan urdhër arrestet, ndodhen prej kohësh jashtë vendit.
Prokuroria e Posaçme lëshoi 50 urdhër arreste për persona të dyshuar si pjesë e 7 bandave kriminale, nga të cilat 14 u ekzekutuan në Shqipëri, dhe 6 të tjera në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë.
Në listën e personave që janë në kërkim rezulton dhe ish deputeti socialist Arben Ndoka, i dyshuar si kreu i njërit prej grupeve si dhe vëllai dhe i afërmi i një tjetër deputeti të shumicës, Eduard Ndreca.
Sipas SPAK, karakteristikë e këtyre grupeve është dhuna e egër në kryerjen e krimeve. Hetimet kanë zbuluar lidhjet mes tyre, aleancat dhe armiqësitë që kanë qenë burim i vrasjeve dhe tentativave për vrasje, mes anëtarëve të grupeve.
Gjatë operacionit për ekzekutimin e urdhërave të arrestit, janë ushtruar kontrolle në 50 banesa, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Rrëshen, Kurbin, Fushë-Krujë dhe Krujë, ku ishin dhe bazat e grupeve.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se sekuestroi automjete të blinduara, bizhuteri, lingota floriri dhe vlera monetare, për një total prej afro 4.5 milionë euro, nga të cilat 3 milionë euro janë cash.