Ja pse Edi Rama kurrë nuk pranoi një faj apo përgjegjësi për kanabizimin e Shqipërisë, as për miliardat e vjedhura dhe nuk shfaqi një fije dhembshurie për shqiptarët e vetëvrarë, për fëmijët e uritur, për të rinjtë e braktisur, për pensionistët e harruar.
Ai, për të hequr përgjegjësinë nga vetja dhe ministrat e tij, nuk hezitoi as të shpallë mjekët armiq dhe t’i akuzojë për krime ndaj njerëzimit.
Edi Rama, ti ke bërë krime ndaj njerëzimit. Më keq akoma, ke bërë genocid ndaj shqiptarëve, ke nxitur emigracionin e vullnetshëm të tyre.
Ti, Edi Rama ke shitur interesin kombëtar, për të ruajtur pushtetin tënd.
Ti, Edi Rama me vllaun tënd antishqiptar Vuçiç dhe me armikun e shqiptarëve dhe mbarë njerëzimit Xhorxh Soros, kërkove të copëtosh trojet e Kosovës në vitin 2018.
Ti, Edi Rama i le të sëmurët pa ilaçe. Të rinjtë pa të ardhme. Fëmijët pa vakte ushqimi.
Ti, Edi Rama mbolle vdekshmërinë, solle Shqipërinë në buzë varri; vendi me më shumë vdekje se sa lindje në vit, për të parën herë në historinë e saj.
Ky është realiteti i këtij dhjetëvjeçari për çdo shqiptar.
Kjo e vërtetë provon se Edi Rama është sjellë si një pushtues i egër ndaj shqiptarëve.
Por, kjo e vërtetë, ky realitet është dhe sfida e madhe historike e Partisë Demokratike.
Kjo është një betejë e madhe që Partia Demokratike, parti e përmbysjes së diktaturës dhe vendosjes së rendit demokratik, do ta fitojë.
Ne do t’i rikthejmë Shqipërisë demokracinë!
Në betejë tonë, ne shënuam fitoren tonë të parë madhore, fitoren për të vërtetën.
Pikërisht sepse ne bëmë opozitë të vërtetë, u tentua më shumë se një herë, asgjësimi ynë politik, por ja ku jemi sot, më shumë se kurrë!
Partia Demokratike u përball në këto tre vite me luftën politike mafioze më të egër, sikur të ishim në Rusinë e Putinit, Bjellorusinë e Lukashenkos, me përpjekje monstruoze për ta bërë atë si motër të Partisë-shtet, për t’i caktuar asaj kryetarin, për t’i shkatërruar asaj identitetin.
Por, ja ku jemi sot në këmbë, më të vendosur, më sovranë, më të fuqishëm se kurrë më parë.
Na sekuestruan flamurin, na detyruan të merrnim pjesë në zgjedhje pa komisionerë, pa buxhet, pa vulë dhe pa emrin e kryetarit në fletën e votimit.
Por dolëm të pamposhtur!
Sot jemi shumica e kombit shqiptar!