Ish Drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, Dorian Tola ka raportuar në Komisionin Hetimor për Sistemin TIMS.
Tola mori disa pyetje nga anëtarët e Komisionit, ndërsa tregoi edhe procedurat si zyrtarët mund të marrin certifikatën për informacion të klasifikuar.
“Ligji është i qartë, një nga kushtet për tu njohur me informacion të klasifikuar është pajisja me certifikatë sigurie të përshtatshme, por kjo nuk do të thotë që në momentin kur emërohesh të kesh certifikatën. Një nga kushtet e tjera është edhe nevoja për njohje. Kjo fillon nga momenti kur emërohesh në detyre. Përveç disa agjencive të inteligjencës që e kanë vendosur në ligjin e tyre që është kusht paraprak për emërimin në detyre pajisja me certifikatë sigurie të gjithë zyrtarët e tjerë, përfshirë edhe ministra pajisjen me certifikatë sigurie pasi emërohen në detyrë”, tha Tola.
Gogu: Kur ju keni qenë në detyrën e drejtorit të DSIKS-së cfarë ndërveprimi keni pasur me sistemin TIMS
Tola: Statusi i sistemit TIMS është një sistem që nuk është i akredituar për trajtuar informacion të klasifikuar. Në këto kushte nuk ka qenë objekt i punës tonë.
Salianji: Kam një pyetje në lidhje me subjektin Ervin Muça që ka ardhur kërkesa për pajisje me certifikatë sigurie. Pse DSIK ka shkelur ligjin duke kthyer përgjigje 8 muaj pas kërkesës, ndërkohë që nuk është ky afati dhe cila ishte arsye e refuzimit?
Tola: Legjislacioni në fuqi përcakton që afati për kryerjen e procedurës së verifikimit është 120 ditë, por në pikën vijuese thuhet që ky afat mund të zgjatet kur autoritetit i duhet më shumë kohë për të konkluduar në një vendimmarrje. Nuk është shkelje ligjore. Ne kemi shumë raste të tilla, ku për arsye të nevojës së punës për të marrë një vendimmarrje në interes të qytetarit është dashur të shkojmë përtej afatit 120 ditë. Sa i takon pyetjes së dytë, deri në momentin e lirimit tim nga drejtori ne nuk kemi konkluduar për një vendimmarrje për zotin në fjalë. Nuk e di nëse është marrë një vendim për refuzim apo jo.
Salianji: A keni pasur presion për këtë rast?
Tola: Nuk kam pasur asnjëherë presion për cdo vendimmarrje.
Salinjai: Ligjërisht mund të ketë akses në informacion të klasifikuar cilido zyrtar i shtetit që nuk është i pajisur me këtë certifikatë?
Tola: Ligji është i qartë, një nga kushtet për tu njohur me informacion të klasifikuar është pajisja me certifikatë sigurie të përshtatshme, por kjo nuk do të thotë që në momentin kur emërohesh të kesh certifikatën. Një nga kushtet e tjera është edhe nevoja për njohje. Kjo fillon nga momenti kur emërohesh në detyre. Përveç disa agjencive të inteligjencës që e kanë vendosur në ligjin e tyre që është kusht paraprak për emërimin në detyre pajisja me certifikatë sigurie të gjithë zyrtarët e tjerë, përfshirë edhe ministra pajisjen me certifikatë sigurie pasi emërohen në detyrë.