Një 36-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë. Mësohet se arrestimi i tij ka ardhur pasi ai kishte përndjekur dhe dhunuar një 35-vjeçare. Gjithashtu bëhet me dije se i riu kishte thyer edhe masën e arrestit shtëpiak. Policia ka njoftuar se në pranga janë vendosur edhe 4 persona të tjerë për vepra të ndryshme. Dy të rinj të moshës 24 dhe 26 vjeë u arrestuan për veprat penale “Përndjekja”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”. Ndërsa dy të arrestuarit e tjerë u vendosën në pranga për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe kultivim droge.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Arrestohen 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike ndaluan shtetasit M. T., 24 vjeç dhe E. D., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Përndjekja”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin K. B., 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka përndjekur një 35-vjeçare dhe ka ushtruar dhunë ndaj saj, si dhe ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë ndaluan shtetasin K. D., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin S. K., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.