Pas skandalit me mikrokreditë, raportohet se ka kryer vetëvrasje, shtetasi me iniciale O.I. Ai ishte në kërkim, si i dyshuar për skandalin për mashtrimet me mikrokreditë. Sipas informacioneve, O.I., i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga një pallat në Tiranë. Deri para pak kohësh ai kontrollonte bashkë me bashkëshorten e tij, E. I., institucionin e mikrokredive, “Micro Credit Albania”.
Ndërkohë një ditë më parë Prokuroria e Tiranës, ka vënë nën sekuestro preventive shoqërinë “Micro Credit Albania” si dhe “Final”. Të dyja këto shoqëri akuzohen për “Mashtrim me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë Kriminale” të kryer në bashkëpunim.
Sipas Prokurorisë së Tiranës shoqëritë “Micro Credit Albania” dhe “Final” kanë ngritur skemë mashtrimi për të zhvatur qytetarët nëpërmjet mikrokredive. Prokuroria thotë se MCA, Final dhe ADCA kanë përndjekur e u kanë ushtruar presion psikologjik kredimarrësve dhe familjarëve të tyre me qëllim për t’i frikësuar. Po ashtu Prokuroria thekson këtu shoqëri kanë shitur pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 20.07.2024, në rrugën “Ramazan Shijaku”, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër, shtetasi O. I., 45 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.