Një 44-vjeçar që vidhte biçikleta në zona të ndryshme në kryeqytet u arrestua nga forcat e komisariatit nr 6 të Policisë së Tiranës.
Sipas një njoftimi zyrtar, Komisariati i Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pasurisë, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Mountain bike”.
Policia bëri të ditur se ka dokumentuar me prova ligjore disa vjedhje të kryera në zona të ndryshme të Tiranës, nga një 44-vjeçar, si dhe ka sekuestruar veshjet e përdorura nga autori i dyshuar gjatë kryerjes së vjedhjeve dhe një biçikletë e vjedhur.
Gjatë operacionit u arrestua shtetasi H. P., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, i cili dyshohet se ka vjedhur disa biçikleta në zona të ndryshme të Tiranës.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua një biçikletë e dyshuar e vjedhur së bashku me veshjet të cilat dyshohet se autori i ka përdorur gjatë vjedhjeve.