Nënkryetati i PD Luçiano Boçi ka reaguar fortë për ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura orët e fundit në vendin tonë.
Ai u shpreh se ngjarjet e fundit tregojn që ky është bilanci i një jave të zezë për sigurinë dhe rendin në Shqipëri.
DEKLARATA E NËNKRYETARIT TË PD, LUÇIANO BOÇI:
Tre të vrarë në Memaliaj, dy të rinj të vdekur në mënyrë të dyshimtë në burgun e Fushë-Krujës, dy atentate me tritol në Elbasan e Pogradec, një atentat me eksploziv ndaj dy vëllezërve në Gramsh, një i plagosur në Lezhë… ky është bilanci i një jave të zezë për sigurinë dhe rendin në Shqipëri.
Të dashur qytetarë,
Ky është bilanc lufte, dhe jo një vendi që ka marrë pushimet dhe dëshiron qetësi dhe siguri. Këto shifra të zeza nuk fshihen nga roza e propagandës dhe as videot me regji të arrestimit të një të riu për një cigare hashash, dhe as takimet me policë që do të ruajnë plazhet bosh, në vendin që vizitohet nga miliona turistë imagjinarë.
Krimi ka marrë kryet e vendit në Shqipëri dhe ‘diversifikimi’ i metodave të tij mund të pasqyrohet më mirë se asgjë tjetër nga fakti se Nuredin Dumani e drejton kriminalitetin, porosit vrasje dhe kërcënime me tritol, nga qelia e burgut.
Nuk është Taulant Balla ministri i Brendshëm, ai përfaqëson në zyrat e Rilindjes ‘bursën e kriminalitetit’, vrasësit me porosi, narko-trafikanët dhe vjedhësit e zgjedhjeve, nga Elbasani në Dibër dhe Shkodër.
Shqipërisë i vjen era barut, ndërkohë që ministri parfumos me postime të parapërgatitura të brendshmet e qelbura të sigurisë dhe rendit.
Shqipëria ka marrë pushimet, por të vetmit që nuk pushojnë janë kriminelët.
Pavarësisht përpjekjes për ta futur Shqipërinë në kronikën rozë të televizioneve dhe postimeve të kryeministrit, kronikën e zezë nuk mund ta mbulosh me asnjë fasadë.
Në këto kushte dorëheqja e ministri Balla është kërkesa më e vogël.
Një ministër-garantor i krimit nuk mund të japë garanci për sigurinë e qytetarëve.
Partia Demokratike u shpreh ngushëllime familjarëve të të vrarëve dhe të vdekurve nga dora e zezë e krimit dhe dora munguese e shtetit.
Pa u zhbërë pakti me bandat, pa ikur nga zyrat e shtetit emisarët e narkotrafikantëve në Shqipëri nuk mund të ketë as siguri, as rend dhe as qetësi.
Shqipëria nuk ka problem parësor trafikun e verës, por narko-trafikun e të gjitha stinëve.
Ky është alarmi që vjen nga bilanci i zi i javës së shkuar.
Qeveria e Ramës është pushtet që duhet rrëzuar, jo duruar.
O sot, o kurrë!