Ministri i Financave Ervin Mete në fjalën e mbajtur në seancën plenare të Kuvendit deklaroi se dy koncesione ku Ministria e Financave është autoritet kontraktor po shkojnë drejt mbylljes.
Specifikisht për dy koncensione ku autoritet kontraktues është Ministria e Financave, koncesioni për pullat fiskale dhe koncesioni i markimit të karburanteve, po ndiqen procedurat për mbylljen e tyre, tha Ministri Mete.
“Në gusht të këtij viti, pra muajin tjetër, përfundon koncesioni i markimit të karburanteve dhe shërbimi kalon tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në momentin që ky koncesion do të përfundojë, ne kemi vendosur që edhe tarifa e aplikuar nga koncesionari të hiqet. Pra, nuk do të ketë vazhdim të aplikimit të tarifës së markimit tek qytetarët dhe bizneset. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit”, njoftoi për herë të parë Ministri.
Gjithashtu, sa i përket koncesionit tjetër, atij të pullave fiskale, Ministri i Financave vuri në dukje se për miratim në seancën e fundit plenare, atë të ditës së nesërme janë ndryshimet ligjore për të hequr koncesionarin nga dispozitat e ligjit të akcizave, si dhe për të hequr prerogativat e koncensionarit nga ky ligj.
“Ky shërbim nga 1 Janari 2025 kalon në menaxhim shtetëror. Synimi ynë është që në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohen tarifa më të ulëta se ato që aplikohen nga koncesionari, çka besojmë do të jetë lehtësi për komunitetin e biznesit, deklaroi Ministri Mete.
Në dhjetor të vitit të kaluar pranë Ministrisë së Financave, me urdhër të Ministrit, është ngritur një grup i gjerë pune, përfshirë edhe Avokaturën e Shtetit, për të menaxhuar procesin e daljes për këtë kontratë koncesionare dhe tani po ndiqen të gjitha procedurat, në mënyrë që duke nisur nga 1 janar 2025, prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale të bëhet nga një person juridik publik, i autorizuar nga Këshilli i Ministrave, që do të jetë Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.