Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar pas denoncimeve nga opozita lidhur me importin e disa mallrave me datë skandecë të deklaruara gabim dhe prezencë të Salmonelës. Me anë të një njoftimi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se shpreh shqetësimin për përhapjen e informacioneve të pa vërteta mbi njoftimet e ardhura nga sistemi RASFF duke shkaktuar panik tek konsumatorët.
REAGIMI I AKU-SË:
Më datë 31.5.2024, nga sistemi RASFF jemi njoftuar për produktin Mozzarella (Treçia di mozzarella pugliese (mozzarella) 200 g) me datë skadence të deklaruar gabim, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje.
AKU mori masa të menjëhershme për kryerjen e kontrollit zyrtar, nga i cili u konstatua se nga 7,2 kg produkt te importuar më datë 15.5.2024, është tërhequr nga tregu dhe bllokuar me destinacion asgjësimin e tij sasia prej 6.2 kg.
Për sa i përket njoftimin të ardhur nga sistemi RASFF më datë 3.6.2024 për produktin në vezë të lëngshme të pasterizuar e cila ka rezultuar me prani të Salmonella spp, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, sqarojmë se:
AKU mori masa të menjëhershme për kryerjen e kontrollit zyrtar, nga i cili u konstatua se nga 12 kg produkt i importuar me datë 10.5.2024 dhe 14.5.2024, është tërhequr nga tregu dhe bllokuar me destinacion asgjësimin e tij sasia prej 8 kg.
Anëtari i kryesisë së PD, Grigels Muçollari tha dje në një deklaratë për mediat se AKU ka lejuar hyrjen në treg të biskotave me copëza metali, domateve me nivel të lartë pesticidesh, vezët me salmonelë dhe mocarelës së skaduar nga Italia.