Kryediplomatja Donika Gërvalla ka reaguar në lidhje me incidentin e regjistruar në aeroportin e Shkupit ku është tentuar ti merret telefoni presidentes së Kosovës, Vjosa Omanit. Gërvalla ka thënë se sigurimi i këtij aeroporti ka pasur sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve.
Këtë e ka zbuluar zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, pas takimit që ka pasur dje me Gërvallën lidhur me incidentin e së mërkurës. Fetai tha se institucionet maqedonase janë duke i kryer hetimet e nevojshme dhe se do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje që do të mund të konstatohet nga incizimet e kamerave të aeroportit
“I dëgjova shqetësimet e Ministres, e cila më njoftoi se sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës ka patur në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve nga ana e personelit të sigurisë të angazhuar nga kompania në fjalë. U pajtuam se raportet ndërshtetërore në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe se do të angazhohemi bashkërisht për t’i thelluar ato edhe më tej, mbi bazën e partneritetit, si shtete aleate që ndajnë vlera të përbashkëta dhe janë të lidhura ngushtë në çdo rrafsh”, ka shkruar Fetai në Facebook.