Në Mitrovicën e Veriut, pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, protestuan pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët kundërshtuan hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve.
“Në urë ne mbrojtëm mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”, “Nëse Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës”, “Derisa BE-ja dhe SHBA-ja po shkruajnë deklarata, neve po na dëbojnë”, ishin disa nga mesazhet që shiheshin në pankartat e protestuesve në Mitrovicë të Veriut.
Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për lëvizjen e automjeteve.
Gjatë protestës, ish-gjyqtari nga Mitrovica e Veriut, Nikolla Kabashiq, tha se duhet të arrihet konsensus ndërmjet të gjithë përfaqësuesve të serbëve në Kosovë për të identifikuar dhe mbrojtur interesat themelore të komunitetit serb.
“Mjerimi është problemi ynë kolektiv. Ne jemi të sulmuar si popull, ne jemi nën agresion që të largohemi nga Kosova”, tha Kabashiq.
Si forma të presionit, pjesëtarët e komunitetit serb përmendën përpjekjet e Qeverisë së Albin Kurtit për të vendosur autoritetin në veri të Kosovës, si dhe praninë e pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Kabashiq theksoi se nuk u protestua kundër popullit shqiptar, por kundër Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Duke folur për synimin e Qeverisë së Kosovës që ta hapë urën mbi Ibër, Kabashiq tha se komuniteti serb nuk e dëshiron këtë, ndërsa shtoi se pretendimet e autoriteteve kosovare se kjo do të bëhej për paqe dhe bashkëjetesë, nuk janë të sakta.
“Ne këtu nuk ndihemi të sigurt”, tha ai, duke shtuar se ekziston liria e lëvizjes edhe pse ura nuk është e hapur për trafik.
Sipas tij, ura mund të hapet vetëm nëse palët bien dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve dhe kur situata të normalizohet.
Në këtë kontekst, ai kërkoi që pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe udhëheqjen e pushtetit lokal ta marrin përfaqësuesit e komunitetit serb.
Ndërkaq, Ivan Millojeviq, drejtor i Postës së Serbisë në Kosovë, tha se pret që në ditët në vijim të mbyllen degët e kësaj poste edhe në jug të Ibrit, duke shtuar se serbët duhet t’iu kundërvihen autoriteteve të Kosovës “me dinjitet”.
Më 5 gusht, autoritetet e Kosovës mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, pasi argumentuan se punonin pa licencë. Aksioni u kritikua nga komuniteti ndërkombëtar.
Millojeviq tha se punonjësit e Postës së Serbisë po akuzohen nga autoritetet kosovare për pastrim parash.
“Unë kam marrë përgjegjësinë përpara punonjësve të mi dhe kam shkruar se unë personalisht duhet të akuzohem. Nëse dikush duhet të shkojë në burg, ai jam unë. Edhe nesër në urë [për të penguar hapjen] ai do të jem unë”, tha ai gjatë protestës së 7 gushtit.
Pas përfundimit të protestës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftoi pjesëtarët e komunitetit serb, që të mërkurën të marrin pjesë në një diskutim në Mitrovicën e Veriut, në të cilin tha se mund të njoftohen “mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.
“Për shumë gjatë ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, shkroi ai në Facebook.