Punimet për ndërtimin e segmentit rrugor Ura e Cerenecit – Peshkopi kanë avancuar ndjeshëm. Ky segment, plotëson Rrugën e Arbrit duke shkurtuar edhe më distancën mes Dibrës dhe Tiranës. Në dy kilometrat e parë të kësaj vepre ka nisur hedhja e shtresave të para asfaltike, ndërsa po vijon puna në pjesën tjetër të saj. Përmes kësaj ndërhyrjeje shkurtohet distanca me afro 2.5 kilometra, krahasuar me rrugën ekzistuese, Maqellarë-Peshkopi.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndoqi nga afër ecurinë e punimeve, e shoqëruar edhe nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kryetari i Bashkisë Dirës, Rahim Spahiu.
Drejtori Gjyli, teksa bëri një prezantim të punimeve të kryera në këtë kantier, tha se me përfundimin e gërmimeve nuk parashikohet që të kemi më problematika të cilat mund të ndikojnë në ecurinë e punimeve. “Aktualisht kanë përfunduar 2 kilometra me shtresën e parë të asfaltit, binder. Gjithashtu me veprat e artit po ecet mirë. Dy urat që ka kjo vepër janë pothuajse drejt përfundimit. Ura 29 metra ka përfunduar dhe soleta, ndërsa për urën 18 metra janë duke u përgatitur trarët”, bëri të ditur Gjyli.
Ecuria e punimeve u vlerësua edhe nga Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku e cila bëri të ditur se tashmë koha e udhëtimit Tiranë-Peshkopi do të jetë edhe më e shkurtër. “Me përfundimin e kësaj rruge unë besoj që zgjidhet njëherë e mirë një ngërç shumë i madh që kishte të bënte me aksesin, por që pavarësisht se u gëzuan njëherë në fillim se nga 6 orë rruga u bë 2 orë e pak, tashmë do të kemi mundësi që të shkojmë nga Peshkopia në Tiranë për një orë e gjysmë”, tha Balluku.
Ministrja u ndal edhe tek Rruga e Arbrit, një tjetër vepër e rëndësishme për të cilën punimet janë përqendruar në tunelin e Murrizit. I gjithë ky investim në infrastrukturë po rrit vëmendjen e vizitorëve në Dibër, por nxit edhe investimet e reja në zonë. “Ky dhjetor i 2024 do të jetë edhe përfundimi tërësor i rrugës së Arbrit, duke mbyllur tunelin e Murrizit me një shpresë shumë të madhe, duke qenë se tashmë jemi drejt përfundimit atje të armatimit të të gjithë tunelit, janë 400 metrat e fundit dhe me përfundimin e armatimit pjesa tjetër e punimeve elektromekaniket, shtrimi i bazës dhe gjithçka tjetër nuk janë më problem për ne”, nënvizoi Balluku.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Spahiu tha se falë investimeve, veçanërisht në infrastrukturë, e gjithë Dibra po merr një zhvillim të madh, ndërsa afërsia tashmë me Tiranën e ka kthyer zonën në një destinacion që po tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë.