Një ngjarje tragjike ka tronditur ditën e djeshme Brazil, ku një avion u rrëzua dhe si pasojë humbë jetën të 62 personat që ishin në bord. Avioni që u rrëzua ishte i tipit ATR72-500, ndërsa sipas burimeve, mësohet se dikur avioni ka qenë në flotën e ish-kompanisë shqiptare Belle Air.
Nga verifikimi i historisë së pronësisë të avionit, rezulton se ai është marrë në përdorim nga Belle Air në qershor 2010 dhe më pas i është kaluar në përdorim kompanisë Belle Air Europe, për t’u rimarrë në përdorim në korrik 2012 deri në fund 2013-fillim 2014. Deri në vitin 2022 avioni është përdorur nga Pelita Air në Indonezi dhe më pas u përdor nga kompania braziliane Voepass deri në tragjedinë e djeshme. Avioni kishte një konfigurim për 68 pasagjerë dhe përdorej për fluturime rajonale.
ATR-72 me dy motorë ishte në një fluturim nga Cascavel në shtetin e Parana për në Aeroportin Guarulhos në Sao Paulo. Sinjali i fundit i marrë nga avioni ishte rreth një orë e gjysmë pas ngritjes. Gjatë 60 sekondave të fundit të fluturimit, transponderi i tij tregoi një zbritje vertikale drejt tokës, pasi humbi lartësinë nga 2438 m në 7315 m në minutë. Avioni u rrëzua në oborrin e një shtëpie, por nga përplasja nuk ka pasur banorë të lënduar. Vetëm një shtëpi u dëmtua në zonën e banimit ku ndodhi aksidenti, njoftuan zyrtarët e qytetit nga fqinji Valinhos.