Lideri autoritar bjellorus, Alexander Lukashenka, ka thënë të shtunën se mbrojtja ajrore e Bjellorusisë, ka shkatërruar disa shënjestra në territorin e vet, të premten, që janë nisur prej Ukrainës, dhe që besohet të kenë qenë dronë.
Ai nuk ka ofruar dëshmi se pajisjet kanë qenë ukrainase. As Ukraina nuk i ka komentuar këto pretendime. Sipas Lukashenkas, “dhjetëra” caqe kanë shkelur hapësirën ajrore bjelloruse në rajonin lindor Mogilev, në kufi me Rusinë.
Për këtë arsye, Minsku e ka rritur shkallën e alarmit në nivelin më të lartë te forcat ajrore dhe forcat ajrore mbrojtëse.
Lukashenka ka thënë përmes një videoje të publikuar prej medias shtetërore, Belta, se, shënjestrat tjera “janë transferuar” në Rusi dhe më vonë janë shkatërruar rreth qytetit Jarosllav.
Më herët gjatë ditës së shtunë, Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se ka identifikuar gjashtë dronë në rajonin Jarosllav.
Lukashenka është ndër aleatët më të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe mbështet luftën e nisur prej Moskës në Ukrainë, më 2022.
Dy liderët dhe vendet e tyre janë shënjestruar me sanksione të ashpra prej Perëndimit. Organizata ndërkombëtare e rendisin Bjellorusinë në mesin e vendeve që kanë nivel shqetësues të të drejtave të njeriut./REL