Policia ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme në Pogradec, ku një 42-vjeçar, u gjet i shtrirë në rrugë dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ajo që u raportua se ishte aksidentale, ka rezultuar se ishte vrasje. 42-vjeçari, Egli Porga ka humbur jetën si pasojë e dhunës. Policia bën me dije autori, Denis Meçe ka rënë në pranga bashkë me tre persona të tjerë, Voltan Shulkun, Leonidha Guçen, Arian Manellarin.
Pas konfliktit fizik jashtë një lokali, viktima është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Autori i cili fillimisht u largua nga vendi i ngjarjes, por më pas u arrestua akuzohet për veprën penale “Vrasje me dashje”. Tre të arrestuarit e tjerë sipas informacioneve akuzohen për veprat penale “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ata kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.