– Avokatja e të dyshuarit kryesor për një plan të dështuar për sulm në një koncert të yllit botëror, Taylor Swift në Vjenë, ka tentuar të dielën të ulë seriozitetin e planit, dhe ka thënë se klienti i saj vetëm ka luajtur me ide. Autoritetet austriake kanë thënë më herët gjatë javës se i dyshuari është me origjinë nga Maqedonia e Veriut dhe i kanë kërkuar informacione Shkupit për të. Tri koncertet e planifikuara të Swiftit këtë javë janë anuluar, pasi autoritetet austriake kanë zbuluar se një 19-vjeçar ka qenë duke planifikuar kryerjen e një sulmi vetëvrasës, i inspiruar prej grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).
Koncertet ishte planifikuar të mbaheshin në një stadium futbolli me mijëra njerëz. Hetuesit austriakë kanë thënë se i riu e ka kryer së fundmi një betim ndaj IS-it dhe është rrëfyer plotësisht pasi policia ia ka bastisur shtëpinë, ku ka gjetur lëndë kimike dhe pajisje që përdorin sulmuesit për të kryer sulm me bombë. Avokatja Ina-Christin Stiglitz, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuers se, i riu ka pasur kontakt me IS-in vetëm muajin e kaluar.