Policia e Tiranës ofron 10 mijë euro shpërblim për të kapur autorin e dyshuar të plagosjes së djeshme të ndodhur në kryeqytet, Erjon Goxharën, i cili ndodhet ende në arrati. Me anë të një tjetër reagimi lidhur me ngjarjen e djeshme, policia thotë se shuma është vënë në dispozicion për cilindo që jep informacion të saktë për vendodhjen e personit të kërkuar.
Gjithashtu në njoftimin e policisë shtohet se Shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të mbështetur nga Forcat Speciale RENEA, Forcat e Sigurisë Kombëtare janë angazhuar në një operacion të gjërë kërkimi, lokalizimi dhe kapjen e Erjon Goxharës, kryesisht në përiferi të Tiranës ku dyshohet se autori është larguar pas ngjarjes.
Pas plagosjes së Lorenc Vasil Kostës ditën e djeshme rreth orës 14:30 në rrugën “Tish Daija”, në Tiranë, policia thotë se janë sekuestruar dhe këqyrur pamjet filmike, të administruar nga disa subjekte private në vendin e ngjarjes, janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat të hetimit, disa persona, dëshmitar okularë dhe familjarë të autorit të dyshuar, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi konfliktin mes të dëmtuarit dhe të dyshuarit, si dhe janë këqyrur të dhënat/komunikimet elektronike.