Vijojnë të dalin detaje të reja në lidhje me plagosjen e ndodhur ditën e hënë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku efektivi Erion Goxhara plagosi me disa plumba Lorenc Kostën pasi dyshohet se ky i fundit kishte një lidhje sentimentale me bashkëshorten e policit. Nga hetimet e deri tanishme ka rezultuar se pas ngjarjes autori e ka xhiruar me celular të plagosurin dhe videon ja ka dërguar kunatit të tij.
Po pas ngjarjes Goxhara ka telefonuar djalin e tij duke i kërkuar ta priste tek rrethi i Shkozës, ku pasi kanë marrë një taksi kanë lëvizur drejt zonës së Freskut. Rrugës në taksi Goxhara ka biseduar në telefon me drejtues policie duke refuzuar të dorëzohet madje duke u shprehur se “më mirë vras vetën se të kalbem në burg”.
Në zonën e Freskut ai është dalluar nga disa punonjës policie civil të cilën e kanë ndjekur me vrap, por ka arritur të largohet. Gjithashtu mësohet se Goxhara në muajin korrik ka telefonuar inxhinierin Lorenc Kosta duke e kërcënuar me jetë.
Efektivi në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Tiranë, akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe o municionit” teksa vijon puna për kapjen e tij.