Prokuroria e Durrësit nis hetimet për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara” mbi ngarkesën me mbetje toksike të nisur nga Porti i Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Durresit ka regjistruar procedimin penal mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal në lidhje me një ngarkesë të nisur nga Porti i Durrësit.
Gjithashtu në këtë institucion, është referuar materiali hetimor nga Drejtoria e Policisë Durrës, për veprën penale “Transportimi i mbetjeve”, dhe “Shpërdorimi i detyrës”, ku referohen informacione të marra nga media në lidhje me këtë ngarkesë për të cilën dyshohet se ka mbetje toksike.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Durrësit bën me dije, se po kryhen veprime hetimore intensive në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare e partnerët ndërkombëtarë, për të sqaruar në mënyrë të shpejtë dhe të plotë të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Një ngarkesë e nisur nga Porti i Durrësit vuri pak ditë më parë në alarm autoritetet në Tajlandë, pasi sipas organizatës “Basel Action Network” që gjurmon tregtinë e mbetjeve toksike, është e mbushur me pluhur të rrezikshëm që grumbullohet nga filtrat e furrave të çelikut.
Siç raporton “Bloomberg.com” anija e linjës së transportit Maersk ishte planifikuar të ankorohej në Cape Town, në Afrikën e Jugut.
Por, pas paralajmërimit të dhënë nga grupi ndërkombëtar i mbikëqyrjes “BAN”, në datën 31 korrik u fik GPS-i i anijes dhe ankorimi nuk u bë i mundur.
Kontejnerët e nisur nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, që dyshohet se janë të mbushur me mbetje të rrezikshme, do të kthehen sërish në Shqipëri.
“Bloomberg” raporton se për shkak të denoncimeve të bëra nga organizata ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit, kompania Maersk ka vendosur të kthejë dy anijet që mendohet se janë të ngarkuara me rreth 800 tonë mbetje industriale nga Shqipëria.
Anija e parë “A.P” Moller” që transporton 40 kontejnerë me mbetje pritet të mbërrijë të enjten në Singapor dhe sipas “MSC Mediterranean Shipping Company” do të kthehet sërish në Itali, dhe prej atje në Durrës. Ndërkohë anija tjetër me 60 kontejnerë pritet të mbërrijë në Singapor në fund të muajit gusht dhe po ashtu do të kthehet mbrapsht për në shqipëri.
Zëdhënësja e Maersk, Sumerr Shi ka deklaruar se kompania po sigurohet që kontejnerët të kthehen në Shqipëri në mënyrën më të sigurtë të mundshme.
Alarmi për anijet me mbetje të rrezikshme u lëshua nga“Basel Action Network” një organizatë jo fitimprurëse amerikane që ndjek tregtinë e lëndëve toksike. Sipas kësaj organizate, më shumë se 800 ton pluhur nga furra elektrike u ngarkuan në portin e Durrësit në muajin korrik dhe kishin si destinacion final Tajlandën.
Pluhuri nga furrat, që kërkon trajtim, është një produkt mbeturinash të rrezikshme që zakonisht vjen nga riciklimi i hekurit të përdorur dhe përmban okside metalesh toksike si kadmiumi dhe kromi, të cilat janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.