Dhjetëra dorëshkrime dhe shtypshkrime të gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë, do të ruhen tanimë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Veprimtaria letrare e pangjashme e Kadaresë, i cili arriti të lërë gjurmë edhe në panteonin e letërsisë botërore, do t’i nënshtrohet restaurimit në DPA, që do të realizojë fillimisht rimëkëmbjen e materialeve, për të kaluar më pas në procesin e digjitalizimit të tyre.
Në kuadër të një marrëveshjeje me DPA-në, familja Kadare ka dorëzuar dorëshkrime që mbulojnë gjerësisht krijimtarinë e ngjeshur të shkrimtarit, përmes veprave të tij më të lakuara. Në nje deklaratë për mediat, Drejtori i Përgjitshëm i Arkivave, Z. Ardit Bido, falenderoi Znj. Helena, Znj. Besiana dhe Znj. Gresa Kadare, për besimin e shprehur kundrejt DPA-së me vendimin për të depozituar pranë saj një fond me materiale të rralla të shkrimtarit.
“Është nder dhe kënaqësi për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave që tashmë është pasuruar me një fond të veçantë të Ismail Kadaresë. Dorëshkrime të rralla, të cilat shkrimtari ynë i madh kombëtar i ruante në shtëpinë e tij dhe në fakt e kanë shoqëruar kudo ku ka shkuar, në Francë, në Durrës apo në Tiranë. Dua të falenderoj veçanërisht familjen e shkrimtarit të madh, Znj. Gresa, Znj. Helena, Znj. Besiana, të cilat vendosën që t’ia besonin Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ruajtjen e kësaj pasurie deri në çastin që do të vendosin çfarë do të bëhet me të. Të gjitha këto dorëshkrime janë tashmë pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për ruajtje, për restaurim dhe për digjitalizim, si një hap i rëndësishëm për të mos pasur asnjë lloj problematike me humbjen e pasurive të mëdha kombëtare. Në këto vite, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka pasur dhurime te personaliteteve të mëdha të historisë sonë që nga Lasgush Poradeci, Rauf Fico dhe kështu me radhë. Dokumente, të cilat përndryshe do ishin të strukura në sëndukë që ruhen me më shumë dashuri sesa këtu, por që ruhen me më pak profesionalizëm sesa këtu. Dokumente, të cilat ruhen me nostalgji, por që mbesin deri-diku të panjohura për publikun dhe për studiuesin. Një falenderim i veçantë për Znj. Gresa Kadare, e cila ishte nismëtare për dorëzimin për ruajtje, restaurim dhe digjitalizim të këtyre dokumenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.”, tha Bido.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kreu i DPA-së, u bëri thirrje pasardhësve të personaliteteve më të mëdha shqiptare, të dorëzojnë ose të dhurojnë pranë Arkivit dëshmitë e angazhimit publik të të parëve, për të bërë të mundur evidentimin e kontributit dhe përjetësimin e veprës së tyre. “Me këtë rast, unë dua t’u bëj një thirrje të gjithë personaliteteve, të cilat kanë dokumente e paraardhësve të tyre, ne nuk do t’i ruajmë me dashurinë dhe nostaligjinë që i ruajnë pasardhësit, por i ruajmë me profesionalizmin dhe me garancinë që këto dokumente do të mbeten përjetë. Kjo ka rëndësi madhore kur vjen fjalë për figura që nuk jetojnë vetëm përgjatë jetës së tyre, por përjetë. Jetojnë sa ekziston memoria kolektive kombëtare.”, përfundoi Bido.
Në fjalën e saj, e bija e shkrimtarit të ndjerë, Znj. Gresa Kadare u shpreh se nëpërmjet kësaj nisme, po plotëson vullnetin e të atit, i cili ka dashur që arkiva e tij të strehohet në Shqipëri. “Desha t’ju falenderoj juve personalisht për mirëkuptimin që gjetëm dhe për mirëbesimin reciprok sepse nuk është gjë e lehtë të marrësh një iniciativë të tillë. Ismailit në Paris, para disa viteve, i janë afruar plot institucione të huaja, shumë ishin franceze. Universiteti i Sorbonne-s, Akademia e Francës, Biblioteka ‘Françoi Miterrand’, që donin të merrnin plotësisht ose një pjesë të arkivave. Erdhi dhe një propozim shumë interesant nga Universiteti i Princeton-it në New York. E shikoja që Ismaili hezitonte, ishte në mëdyshje, diçka e pengonte dhe nuk ka dhënë përgjigje të qartë. Dhe unë i thashë: ‘Po si e ke menduar? Çfarë do të bëhet me arkivën tëndë? Pse nuk shprehesh?’. Nuk di tha ç’duhet të bëj sepse unë dua që arkivi të kthehet në Shqipëri. Por, nuk di cilit institucion t’ia besoj. Ai nuk dha përgjigje të prerë. Por, në mënyrë subliminale, vendosa me iniciativën time t’ia plotësoj këtë amanet, duke ju bërë juve besim total. Edhe një herë, është shumë e vështirë t’i besohen qoftë një institucioni serioz gjëra kaq të vyera. Jam shumë e prekur personalisht, që pashë para ca ditëve se Kodikët e Beratit prehen gjithashtu këtu. Më emocionon ideja që dorëshkrimet e Ismailit do jenë në shoqëri të mirë, pranë Kodikëve të Beratit. Në njëfarë mënyrë, më duket sikur këto janë kolonat e një tempulli tonë të përbashkët që është trashëgimia kulturore e shqiptarëve dhe që duhet ruajtur, jo vetëm si një qenie e ballsamosur. Unë shpresoj që në një kohë të dytë, Arkivi do lejojë aksesin e studiuesve, kritikëve letrarë, studentëve të letërsisë ose studentëve nga gjithë anët, të vijnë ta konsultojnë, ta studiojnë dhe ta mbajnë gjallë arkivin.”, tha Znj. Gresa Kadare.
Mes materialeve të dorëzuara, bëjnë pjesë dorëshkrimet e veprave: “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, “Përbindëshi” dhe “Mosmarrëveshja”. Po ashtu, janë dorëzuar edhe shtypshkrimet e veprave “Sorkadhet e trembura”, “Aksidenti”, “Ftesë në studio”, “Ëndërrimet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”. Krahas tyre, gjenden edhe blloqet me shënime të hedhura prej Kadaresë gjatë krijimtarisë, albume me foto të tij familjare, albume nga aktivitete të shumta kulturore, si edhe dekreti i shtetësisë së Republikës së Kosovës.