Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se tre persona janë vrarë gjatë një sulmi ajror izraelit ndaj një shtëpie në Bregun e pushtuar Perëndimor. Në njoftim u tha se sulmi u krye gjatë natës në kampin e refugjatëve Tulkarem, një zonë banimi e ndërtuar që nga lufta e vitit 1948, në kohën e krijimit të Izraelit. Ministria palestineze e Shëndetësisë nuk tregoi nëse të vrarët ishin luftëtarë apo civilë.
Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këtë raportim të palës palestineze. Në Bregun Perëndimor ka pasur rritje të dhunës që nga 7 tetori, kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, sulm që nxiti luftën në Gazë.
Forcat izraelite kryejnë bastisje pothuajse në baza ditore në Bregun Perëndimor që shpesh nxisin përleshje të armatosura me palestinezët. Militantët palestinezë kanë kryer një sërë sulmesh ndaj izraelitëve. Ministria palestineze e Shëndetësisë ka thënë se të paktën 637 palestinezë janë vrarë nga izraelitët në Bregun Perëndimor që nga nisja e luftës në Gazë.
Izraeli mori Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen. Izraeli ka ndërtuar vendbanime në mbarë Bregun Perëndimor të cilat janë shtëpi e më shumë se 500.000 kolonëve hebre. Ata kanë shtetësi izraelite, ndërkaq 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit, ndërkaq Autoriteti Palestinez administron qendrat e banuara.
Ndryshe, në sulmin e 7 tetorit, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë nga komunitetet në jug të Izraelit. Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë ushtarake në Gazë, që deri më tani ka lënë të vrarë më shumë se 40.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Lufta ka detyruar shumicën e 2.3 milionë banorëve të Gazës të largohen nga shtëpitë e tyre./ REL