Nga e marta e 27 gushtit të gjithë maturantët që kanë aplikuar për të nisur studimet e larta mund të mësojnë degët ku janë shpallur fitues në portalin u albania ose faqet e internetit të fakulteteve. Nëse pretendojnë se pikët nuk u janë llogaritur saktë një ditë më pas mund të ankimojnë rezultatin pranë universitetit. Regjistrimet nisin me 30 gusht dhe do të zhvillohen në shtatë faza 48 orëshe.
“Në përfundim të 48 orëshit nëse nuk regjistrohesh në atë program studimi, ai program iu kalon maturantëve vijues në garë. Më datë 13 shtator mbyllet raundi i parë i regjistrimeve. Maturantët kanë në dispozicon një fazë të plotë 48 orëshe, nëse rimendojnë zgjedhjen mund të çregjistrohen dhe futen në listat e maturantëve që aplikojnë për raundin e dytë”, u shpreh Drejtor i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj.
Rreth 19 mijë e 700 maturantë aplikuan në këtë fazë për të nisur studimet e larta në universitetet publike e private në vend. Këtë vit degët e inxhinierisë dhe IT kryesojnë ndaj mjekësisë dhe degëve të tjera të shëndetit.
“Këto katër vite ka lëvizuar herë njëra e parë herë tjetra e para dmth është ndryshuar renditja e parë me të dytë ndërmjet grupimit të degëve të shëndetësisë dhe inxhinierisë dhe IT. Këtë vit kemi një rritje të lehtë dhe është më i madh numri i aplikimeve në degët it dhe inxhineri. Kjo duke pasur parasysh dhe shtimin e programeve në universiteteve publike dhe jo publike”.
Ekonomiku dhe drejtësia kanë ruajtur pothuajse të njëjtin numër aplikimesh ndërsa në degë të shpallura prioritet kombëtar si mësuesia e bujqësia kërkesa nuk ka ndryshuar në raport me vitin e shkuar. Në dispozicion të maturantëve këtë vit janë 656 programe studimi në 44 institucione të arsimit të lartë publik dhe privat.