Për ngjarjen e rëndë në Korçë ku Bledar Trëndafili tentoi të digjte me benzinë bashkëshorten e tij, 31-vjeçaren Melisa Trëndafili ka reaguar ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Teksa e konsideron një krim të neveritshëm, Manja lajmëron me anë të një postimi në Facebook se ky rast i patolerueshëm meriton ndëshkim shembullor nga drejtësia.
Reagimi i plotë I ministrit:
Ngjarja tronditëse që ndodhi dje në Korçë, ku një nënë e dy fëmijëve të mitur u bë viktimë e dhunës së verbër në familje, është një krim i neveritshëm që kërkon ndëshkim shembullor nga drejtësia!
Ky akt i shëmtuar nuk mund të tolerohet dhe as të kalojë pa pasoja të rënda për autorin. Drejtësia duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim për të dhënë mesazhin e qartë se dhuna në familje nuk ka vend në shoqërinë tonë. Është detyrë e institucioneve dhe e shoqërisë të mbrojmë çdo nënë, çdo fëmijë, nga këto akte barbare, dhe të sigurohemi që ata që shkelin ligjin të marrin dënimin që meritojnë!