Dy persona janë përfshirë në një sherr për shkak të konkurrencës para stacionit të furgonave për transport pasagjerësh në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:15 në lagjen “Vojo Kushi”, ku 63-vjeçari me iniciale C. S., dyshohet se është konfliktuar fizikisht me 52-vjeçarin me iniciale D. Gj..
Si pasojë 52-vjeçari është dëmtuar fizikisht dhe ndodhet në spital për ndihmë mjekësore. Ndërsa 63-vjeçari u vendos në prangat e policisë. Ndërsa gjatë kontrollit të banesës së këtij të fundit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë e municion luftarak, të cilat i mbante pa leje.
Ai akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/ U konfliktua fizikisht për arsye konkurrence me një 52 vjeçar dhe mbante pa leje armë zjarri e municion luftarak, vihet në pranga 63 vjeçari. Policia sekuestron një armë zjarri psitoletë dhe municion lutarak.
Rreth orës 11:15, në lagjen “Vojo Kushi”, shtetasi C. S., 63 vjeç, dyshohet se për motive konkurrence, para stacionit të furgonave për transport pasagjerësh është konfliktuar fizikisht me shtetasin D. Gj., 52 vjeç. Si pasojë 52-vjeçari është dëmtuar fizikisht dhe ndodhet në spital për ndihmë mjekësore. Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendin ku po ndodhte konflikti duke ndërhyrë dhe parandaluar përshkallzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së shtetasit C. S, kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat 63 vjeçari i mbante pa leje. Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit C. S.
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.