U përfshinë në një rast të bujshëm narkotrafiku dhe klandestinësh në Angli, dënohen 4 shqiptarët e arrestuar.
Hetimet i finalizoi Njësia për Drogën dhe Krimet e Organizuara të Rënda të Policisë në Oxford, kurse vendimi është dhënë nga Gjykata e Berkshire, në Reading. Vendimet u dhanë më 3 Shtator, kurse sot mediat publikuan lajmin.
Policia tha se u zbulua edhe një fabrikë kanabisi në shkallë të gjerë me rreth 1000 bimë kanabisi, me një vlerë të tregut rreth 1,6 milionë paund. Në total, 200 kg kanabis u gjet në dy adresa të tjera në Oksford, të lidhura me Metën dhe Elezajn, raportoi media lokale “Readingchronicle”.
Të dënuarit janë; Dritan Meta, 43 vjeç, Ilir Kodra, 49 vjeç, Refik Skepi, 45 vjeç dhe Visar Elezaj, 39 vjeç.
Meta akuzohet si kreu i organizatës, teksa më herët u deklarua fajtor për akuzat e lehtësimit të shkeljes së ligjit të imigracionit në Mbretërinë e Bashkuar dhe prodhimit të kanabisit në Gjykatën e Kurorës Reading, me 11 vite burg.
I shfaqur përkrah Metës, Skepi, nga Thornton Road, Reading, u deklarua fajtor për prodhimin e kanabisit dhe u dënua me 6 vjet burg.
Kodra, nga Boundary Brook Road, Oxford, pranoi të njëjtën vepër imigracioni më 20 maj dhe mori një dënim me 4 vjet dhe 7 muaj izolim.
Elezaj, i fundit i grupit, u shpall fajtor për prodhimin e kanabisit dhe u dënua me 3 vjet e 6 muaj pas një gjyqi pesë-javor.
Operacioni kundër Bandës së Krimit të Organizuar me bazë në Oksford filloi në prill 2022 dhe zbuloi kultivim të konsiderueshëm të drogës në të gjithë vendin.
Një aspekt kyç i operacioneve të grupit ishte kontrabandimi i emigrantëve nga brigjet e Dunkirk në Francë, për në Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur varka të vogla apo gomone.
U zbulua se si Meta ashtu edhe Kodra luajtën role të rëndësishme në organizimin e të paktën tre kalimeve të emigrantëve më 16 gusht 2022.
Në këtë operacion trafikimi janë përfshirë 49 persona, përfshirë pesë fëmijë nën moshën dhjetë vjeç. Inspektorja Natalie Hall e Njësisë së Drogave dhe Krimit të Organizuar të Rënda dha disa informacione.
Ajo tha:
“Vetëm për fat të mirë që personat e futur ilegalisht në vend në këtë rast nuk u dëmtuan, falë veprimeve të shpejta të rojës bregdetare. Ky dënim vetëm pasqyron seriozitetin e krimit të organizuar të imigracionit”.