Ndalohet një 32-vjeçar i shpallur në kërkim, i cili akuzohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, 1 vit më parë, kanosën një 34-vjeçar, që ai t’iu jepte 200 000 euro.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, bazuar në inteligjencën informative, ndaloi shtetasin në kërkim E. D., 32 vjeç, banues në Belsh.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’.
Shtetasi E. D., më datë 12.08.2023, në bashkëpunim me vëllanë e tij (i arrestuar më parë, në kuadër të operacionit “Pressure”), dyshohet se kanë kanosur një shtetas 34 vjeç, që ai t’iu jepte shumën 200 000 euro, që dyshohet se rrjedh nga veprimtari të përbashkëta kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.