Kombëtarja shqiptare U-17 zhvilloi sot takimin e dytë miqësor me Luksemburgun U-17. Ndeshja e luajtur në “Shtëpinë e Futbollit” përfundoi me fitoren e Luksemburgut me rezultatin 3-0.
Trajneri Tedesco e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Luksemburgut: Daniel Culi (GK), Fabian Nuhaj, Kris Gecaj (C), Darli Kurti, Ernesto Marqeshi, Andreas Llana, Evangelos Gjoka, Alen Vukaj, Enis Redzepi, Gabriel Kulla dhe Emiljano Mihana.
Shqipëria U-17 e nisi më mirë ndeshjen, por i mungoi fati në disa raste të pastra për shënim. Kur gjithçka po shkonte drejt fundit në pjesën e parë, miqtë zhbllokuan rezultatin dhe fraksioni i parë u mbyll 1-0.
Pjesa e dytë nisi me disa ndryshime për Shqipërinë, ndërsa Luksemburgu shënoi edhe golin e dytë. Kuqezinjtë u munduan të reagonin por pa sukses. Skuadra e Luksemburgut realizoi edhe golin e tretë. Në fund miqësorja e dytë u mbyll 3-0 për miqtë.
Ndeshjet miqësore me Luksemburgun ishin një mundësi e mirë për trajnerin Tedesco për të vlerësuar gjendjen e lojtarëve, si edhe për të kolauduar grupin përfundimtar që do të ketë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Europian “Shqipëri 2025”.
Kuqezinjtë janë pozicionuar në grupin 3 së bashku me Holandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe, ndërsa ndeshjet do të luhen në muajin tetor në vendin tonë.