Rreth 2000 bimë të kultivuara kanabis janë gjetur ditën e sotme në qarkun e Shkodrës. Përkatësisht në Pult, Shalë dhe Postribë u asgjësuan 1405 bimë cannabisi, ndërkohë që në njësinë administrative Shllak u asgjësuan 443 bimë. Bëhet me dije se autorët e kultivimit të bimëve narkotike janë ende të paidentifikuar. Vijon puna për kapjen e tyre.
Njoftimi i policisë:
Qarku Shkodër/Në vijim të megaoperacionit policor anticannabis “Territor i pastër”, asgjësohen 1848 bimë cannabisi.
Në kuadër të këtij megaoperacioni që ka si objektiva parandalimin, konstatimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut. Gjatë kësaj faze të megaoperacionit:
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën në territorin e njësive administrative Pult, Shalë dhe Postribë, dhe asgjësuan 1405 bimë cannabisi;
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën në territorin e njësisë administrative Shllak dhe asgjësuan 443 bimë cannabisi.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.