Kombëtarja shqiptare e futbollit rikthehet sot në aksion. Në orën 20:45 kuqezinjtë gjejnë Ukrainën në Pragë, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën B të grupit 1 në Ligën e Kombeve.
Trajneri Sylvinho do duhet të bëjë pa Ajetin, Brojën dhe Gjimshitin të dëmtuar, ndërsa qendra e mbrojtjes ndryshon nga ajo e Evropianit. Sylvinho doli dje para medieve, teksa nuk dha asnjë ide për emrat, por cilësoi se formacioni do i përshtatet kundërshtarit. Sylvinho ka lënë në tribunë Agim Zekën. Sulmuesi i Partizanit u ftua për herë të parë në ekipin kombëtar, por ka mbetur jashtë ndeshjes për shkak se në protokoll lejohen vetëm 23 emra dhe trajneri me vete ka 24 futbollistë.
Ky është dueli i parë pas pjesëmarrjes në Euro 2024 dhe për kuqezinjtë nis një cikël i ri, në përgatitje të Kupës së Botës 2026.
Tifozët
Në lidhje me duelin e mbrëmjes së sotme në stadiumin Epet Arena priten afro 3 mijë shqipitarë, teksa në rrugët e Pragës ka nisur festa kuqezi.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria: (4-3-3) Strakosha; Hysaj, Ismajli, Kumbulla, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laçi; Asani, Bajrami, Manaj