Zv/presidentja e SHBA-së, Kamala Harris, vrasjen e aktivistes turko-amerikane nga Izraeli në Bregun Perëndimor të pushtuar e ka quajtur një “tragjedi të tmerrshme”.
“Vrasja e Aysenur Eygit është një tragjedi e tmerrshme që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë”, tha zv/presidentja Harris në një deklaratë mbi vrasjen që ndodhi të premten e kaluar.
“Aysenur po protestonte në mënyrë paqësore në Bregun Perëndimor, duke u ngritur kundër zgjerimit të vendbanimeve, kur jeta e saj e re u ndërpre në mënyrë të pakuptimtë”, theksoi Harris.
26-vjeçarja Aysenur Ezgi Eygi, një shtetase turko-amerikane, u vra nga forcat izraelite gjatë një proteste të premten kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite në Beita në periferi të Nablusit.
Ajo mbërriti në Bregun Perëndimor të martën e kaluar për të dalë vullnetare me Lëvizjen Ndërkombëtare të Solidaritetit si pjesë e një përpjekje për të mbështetur dhe mbrojtur fermerët palestinezë.
“Askush nuk duhet të vritet për pjesëmarrje në një protestë paqësore. Të shtënat që çuan në vdekjen e saj janë të papranueshme dhe ngrenë pyetje legjitime në lidhje me sjelljen e personelit të IDF-së (ushtrisë izraelite) në Bregun Perëndimor. Izraeli duhet të bëjë më shumë për të siguruar që incidente si kjo të mos ndodhin më kurrë”, tha Harris.
Ajo shtoi se hetimi paraprak i Izraelit tregoi se ishte “rezultat i një gabimi tragjik për të cilin është përgjegjëse IDF-ja”.
“Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë presion qeverisë së Izraelit për përgjigje dhe për qasje të vazhdueshme në gjetjet e hetimit, në mënyrë që të kemi besim në rezultatet. Duhet të ketë përgjegjësi të plotë”, shtoi ajo.
Siç tha zv/presidentja amerikane, SHBA-ja do të vazhdojë të mbajë përgjegjës në Bregun Perëndimor këdo që nxit dhunën dhe minon paqen dhe stabilitetin.
Eygi, e lindur në Antalya të Türkiyes në vitin 1998, u shpërngul në SHBA me familjen e saj kur ishte foshnjë dhe u diplomua në muajin qershor në Universitetin e Ëashingtonit, ku studio psikologji, si dhe gjuhë dhe kulturë të Lindjes së Mesme.