Dashnor Sula, deputeti i PD-së, gjatë seancës plenare të ditës së sotme, duke folur për Aktin Normativ lidhur me ndryshimin e Buxhetit të Shtetit, akuzoi Qeverinë se ka si synim t’i japë fondet oligarkëve.
Sula tha se janë 5 oligarkë që duan t’i japin paratë me pretendimin se janë rritur çmimet e materialeve të ndërtimit.
“100 mln euro që do ja jepni 5 personave që ia dhatë edhe në 2023, gjoja për rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit, në një kohë që nuk është e vërtetë.
Kurum që prodhon hekur dhe çelik në Elbasan, ka deklaruar që çmimi i hekurit ka rënë krahasuar edhe para luftës. Janë ulur çmimet, ju i jepni para këtu 5 oligarkëve dhe nuk i specifikoni.
Pse nuk shihni sektorët më jetik?
Pse e keni kaq urrejtje për katunarët. Ju nuk i jepni para katunarëve, vetëm 5 mln euro, ia ulët me 9% fondet bujqësisë dhe blegtorisë.
Ju i urreni katunarët dhe s’i jepni fare para, i thoni ikni braktiseni vendin. Çfarë i dhatë ju pensionistëve nga ky akt normativ, zero lekë, vetëm në tetor 2023 i shtuat 500 lekë në ditë të vjetra, pra 15 mijë lekë të vjetra në muaj.
Ju nuk i jepni dot as një gjysmë buke pensionistëve. Ky akt normativ ka nuanca korruptive dhe në 2023 e njëjta gjë doli. Ju keni arritur atë që se ka bërë gjithë europa dhe bota, 25 mln euro e keni çuar ndërtimin e një km rrugë fushore”, tha Sula.