Një operacion i Policisë, i koduar “Knock Out 7”, ka rezultuar në ndalimin e dy të rinjve që po përpiqeshin të trafikonin armë zjarri në qytetin e Sarandës.
Operacioni, i zhvilluar nga strukturat e Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Sarandë, ka parandaluar ngjarje të mundshme kriminale.
Në pranga përfunduan M. C., 24 vjeç dhe K. O., 23 vjeç. Pas lokalizimit dhe ndalimit të tyre në aksin rrugor “Sarandë-Skërficë”, gjatë një kontrolli në automjetin e drejtuar nga M. C., dhe në të cilin ndodhej edhe K. O., u zbuluan dhe u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta tip “Glock” dhe 150 fishekë luftarak. Po ashtu, u sekuestrua një automjet tip “Nissan” dhe një shumë prej 250 eurosh.