Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, ka paraqitur në Komisionin për Ekonominë dhe Financat projektligjin e ri “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”. Në fjalën e saj, ministrja theksoi rëndësinë e këtij projektligji në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare dhe përmbushjen e objektivave të Bashkimit Evropian për bujqësinë organike.
Sipas ministres Denaj, Bashkimi Evropian synon që deri në vitin 2030, 25% e tokës bujqësore të jetë e certifikuar si organike, ndërsa Shqipëria, si vend kandidat për në BE, është angazhuar për të përshtatur industrinë e prodhimeve organike “Made in Albania” sipas standardeve evropiane. Ky projektligj synon të forcojë mekanizmat ligjorë dhe kontrollues në të gjitha hallkat e prodhimit organik, duke përfshirë planifikimin, prodhimin, paketimin, etiketimin dhe tregtimin e produkteve organike, si brenda vendit ashtu edhe në tregjet ndërkombëtare.
“Projektligji i ri vjen si një domosdoshmëri për të përmirësuar ligjin aktual, i cili nuk është ndryshuar që nga viti 2016. Rritja e kërkesës së tregut vendas dhe i eksporteve të produkteve organike drejt tregjeve të BE-së, kërkon ndërhyrje të reja ligjore,” tha Denaj teksa shtoi se Shqipëria aktualisht eksporton rreth dy tonë produkte organike çdo vit, përfshirë bimët aromatike dhe mjekësore, gështenjat, frutat e pyllit dhe vajin e ullirit.
Ministrja nënvizoi se projektligji do të nxisë rritjen e numrit të operatorëve të prodhimit organik, si dhe sipërfaqet e tokës të dedikuara këtij prodhimi. Gjithashtu, do të përmirësohen sistemet e kontrollit dhe sigurisë për produktet organike, për të garantuar që etiketimi i produkteve organike të jetë në përputhje me standardet evropiane.
Në përfundim, Denaj ftoi deputetët që të mbështesin projektligjin, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bujqësisë organike dhe garantimit të një të ardhme më të qëndrueshme për prodhimet “Made in Albania”.