Një kompani e lidhur me qeverinë ruse dyshohet se po drejton një fushatë dezinformimi që synon të frikësojë votuesit gjermanë dhe t’i nxisë drejt mbështetjes së partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Sipas gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung dhe rrjeteve të transmetimit publik WDR dhe NDR, Agjencia Sociale e Dizajnit me qendër në Moskë (SDA) ka përhapur informacion të rremë 24/7 në faqet e mediave sociale për të paktën dy vjet në bashkëpunim të ngushtë me Kremlinin.
Me ndihmën e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, këto media analizuan prezantimet e brendshme, tabelat, listat, grafikët dhe dokumentet e ofruara atyre nga një burim anonim. Kompania që shpërndan komente, meme dhe karikatura pro-ruse në Facebook, X, Telegram dhe Instagram, po synon koalicionin qeveritar të qendrës së majtë të kancelarit Olaf Solz.
Sipas një dokumenti të zbuluar që daton në fund të vitit 2022, një nga qëllimet ishte që AfD e ekstremit të djathtë të rriste pjesën e saj në 20% në një sondazh nga një institut i besueshëm, rezultatet e të cilit publikohen në të gjithë Evropën.
Një tjetër qëllim i kësaj fushate dezinformuese ishte përhapja e idesë se mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën po krijon krizën më të keqe ekonomike dhe sociale në historinë e fundit të vendit, shkruan gazeta Süddeutsche Zeitung.
“Rusia po vepron në mënyrë pragmatike dhe me tematikë fleksibël për të shfrytëzuar sa më mirë potencialin e ndarjes së shoqërisë gjermane”, tha për gazetën kreu i shërbimit të brendshëm të inteligjencës (BfV), Thomas Haldenwang.
Sipas Haldenwang, shërbimet e tij po punojnë shumë për të identifikuar ata që duan të shkatërrojnë demokracinë gjermane dhe t’i pengojnë ata ta destabilizojnë atë.