Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim Ministren e Shtetit për Evropë dhe Klimë të Republikës Federale të Gjermanisë, Anna Luhrmann, me këtë rast është diskutuar për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, rëndësinë e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani, si dhe mbështetjen gjermane për integrimin euroatlantik të vendit tonë.
Në komunikatë thuhet se presidentja Vjosa Osmani ka theksuar rëndësinë e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat padrejtësisht po prekin më së shumti qytetarët e vendit.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe për Procesin e Berlinit, me këtë rast Presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dalura nga ky proces.
“Presidentja Osmani, në prag të lansimit zyrtar të Qendrës Rajonale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka shprehur rendësin e rritjes së partneritetit me Gjermaninë për iniciativa të përbashkëta të cilat kanë për qëllim avancimin tutje të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, citohet Vjosa Osmani në komunikatë./Kosovapress