Këtë vit, INSTAT nuk ka publikuar asnjë tregues në lidhje me punësimin në vend, për shkak të përputhjes së Anketës së Forcës së Punës me të dhënat e reja të popullsisë që buruan nga Cens 2023.
Por të dhënat nga anketa e Barometrit të Ballkanit 2024 treguan normë të lartë papunësie në mesin e të anketuarve në Shqipëri. Nga 1000 të pyetur, 20% ishin të papunë në vendin tonë, niveli më i lartë rajonal dhe me diferencë nga të tjerat.
Mesatarja rajonale e papunësisë në mesin e të anketuarve ishte 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezultoi në Kosovë 4%, në Serbi me 7%, Malin e Zi 9%, Maqedoninë e Veriut 13% dhe Bosnjë, 11%.
Në mesin e të anketuarve gjithashtu Shqipëria kishte vetëpunësimin 15%, niveli më i lartë në Rajon, për rrjedhojë kemi përqindjen më të ulët të të punësuarve me pagë.
Në 1000 persona të pyetur në vendin tonë, 39% e tyre ishin të punësuar me pagë, Kosova kishte nivelin më të lartë të të punësuarve me pagë me 65% të të pyeturve, Serbia me 54%, Bosnja me 52, Maqedonia e Veriut me 48% dhe Mali i Zi me 52%.