Gerti Bogdani do të përcillet ditën e sotme drejt banesës së fundit pasi humbi jetën në mënyrë tragjike ditën e djeshme, në moshën 44-vjeçare. Figura dhe personaliteti i tij do të nderohen ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, pjesë e të cilit ai ishte për 2 mandate duke ardhur nga radhët e Partisë Demokratike.
Homazhet dhe ceremonia e lamtumirës, do bëhen sot në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë, nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës. Ndarja e tij nga jeta ka ngjallur reagime të shumta keqardhjeje nga të dyja kahet e politikës në vend, por edhe nga Kosova fqinje.
Në shenjë solidariteti Partia Demokratike njoftoi dje se do të shpallë dy ditë zie në nderim të Bogdanit dhe do të pezullojë të gjithë aktivitetet politike.
Në një mesazh prekës, bashkëshortja e tij, Edlira Çepani shprehu trishtimin e saj për ndarjen e parakohshme nga jeta të Bogdanit, duke thënë se do ta ketë të vështirë të jetojë pa të tani e tutje.