Ndërsa Brazili ndalon aplikacionin X të Elon Musk, kush do ta mbrojë lirinë e fjalës? Liria e shprehjes është shndërruar në luftë ideologjish dhe ata që duhet ta mbrojnë, po heshtin Në Brazil, gjyqtarët kanë bllokuar qasjen në platformën X, një nga rrjetet sociale më të njohura të vendit, shkruan The Economist.
Në Francë, prokurorët i kanë ndaluar shefit të aplikacionit Telegram që të largohet nga vendi, ndërsa po kryejnë hetime. Në Britani, gjykatësit kanë dënuar me burg përdoruesit e mediave sociale për mesazhet e postuara në internet, gjatë protestave të kohëve të fundit.
Në Amerikë, ka plane për të ndaluar TikTok, një aplikacion jashtëzakonisht popullor, në pronësi kineze. Argumentet për mbrojtjen e lirisë së fjalës kanë filluar të vlojnë, ndërsa qeveritë po shtrëngojnë lirinë e shprehjes në internet.
Në disa raste, goditja qeveritare është e justifikuar. Për shembull, në rastin e Francës kundër Telegram, një platformë e themeluar nga Rusia dhe që ka 50% më shumë përdorues se X, autoritetet franceze e bënë ndalimin, sepse po hetojnë përmbajtjen e jashtëligjshme që qarkullon në këtë aplikacion, i cili ka vetëm rreth 50 punonjës, dhe prej kohësh është përdorur nga kriminelë për të shpërndarë materiale që përfshijnë abuzimin seksual të fëmijëve, reklamimin e drogës dhe llojeve të tjera të kontrabandës.
Telegram i ka quajtur akuzat franceze “absurde” dhe këmbëngul se u është përmbajtur normave dixhitale europiane. Sido që të përfundojë hetimi francez, ai të paktën po shënjestron diçka të paligjshme.
Mund të gjejmë deri diku arsyetim edhe në goditjen amerikane ndaj aplikacionit TikTok, i cili përdoret nga më shumë se 1 miliard njerëz në mbarë botën dhe ka tronditur një treg jo konkurrues.
Por duke qenë se kompania mëmë e TikTok e ka selinë në Pekin, ka rrezik që aplikacioni të manipulohet nga Partia Komuniste Kineze.
Kjo është e rëndësishme, sepse shumë përdorues e përdorin aplikacionin si burimin e tyre të lajmeve. Individët e kanë të drejtën e lirisë së fjalës, ama jo qeveritë e huaja. Ndalimi i TikTok mund të jetë një mjet i arsyeshëm, në rast se firma nuk ndërpret lidhjet e saj me Pekinin.
Megjithatë, ka pasur raste të tjera kur qeveritë janë përpjekur të censurojnë dhe të ndëshkojnë fjalën e lirë që mbrohet me ligj.
Për shembull, Brazili e ka ndaluar aplikacionin X në vend, sepse nuk ka pranuar të përmbushë urdhrat e paqarta të gjykatës, për të hequr disa dhjetëra llogari, duke përfshirë ato që u përkasin anëtarëve të Kongresit të Brazilit.
Përdoruesit që përpiqen të hyjnë në platformë, mund të gjobiten rëndë. India, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera, po përpiqen të dobësojnë enkriptimin. Malajzia ka thënë se postimet për fenë duhet të ndalohen nga Departamenti i Zhvillimit Islamik.
Demokracitë e pasura po synojnë gjithashtu censurën. Bashkimi Europian po heton platformën X për nxitjen e keqinformimit dhe racizmit, të dyja veprime të këqija, por që nuk janë të përshtatshme për rregullim ligjor.
Britania ka të drejtë të burgosë ata qytetarë që nxisin dhunën online dhe të presë që platformat të respektojnë ligjin, por kur dënoi një burrë për një postim në Twitter të konsideruar thjesht “shumë fyes”, ajo i kaloi kufijtë, duke kryer një censurë të pajustifikuar.
Edhe në Amerikë, e cila ka traditën më të fortë në botë të fjalës së lirë, platforma Facebook ka akuzuar Shtëpinë e Bardhë se është përpjekur të ndalojë satirën për Covid-19.
Debatet për fjalën e lirë dhe ligjin, kanë ekzistuar që nga shpikja e librit. Qëndrimi ynë është i qartë: vetëm duke pasur lirinë për të gabuar, shoqëritë mund të përparojnë ngadalë drejt asaj që është e drejtë.
Ajo që ka ndryshuar sot, është se kundërshtimet më të forta për shtypjen e fjalës së lirë, po vijnë nga personalitete të krahut të djathtë si Elon Musk, shefi i platformës X, ndërsa shumë të vetëquajtur “liberalë”, duartrokasin atë që e quajnë një goditje ndaj miliarderëve që mbështesin Donald Trump.
Ndërsa fjala e lirë po bëhet një fushëbetejë e luftërave ideologjike, njerëzit që nuk pajtohen me mendimet e Elon Musk dhe përkrahësve të tij, e kanë miratuar censurën.
Ata duhet të zgjohen. Kufizimet shtrënguese prekin të gjithë njerëzit që përdorin platformat online, jo vetëm miliarderët që i zotërojnë ato.
Për më tepër, liria e shprehjes nuk është e sigurt as në duart e individëve si Elon Musk, i cili padit ata me të cilët nuk pajtohet, ndalon fjalët që nuk i pëlqejnë nga platforma e tij dhe mbështet Vladimir Putinin, një autoritar i cili ka si mjet të parapëlqyer të shtypjes së fjalës së lirë, helmin Novichok.
Aftësia për të folur lirisht, është ndoshta vlera më thelbësore liberale. Është koha që liberalët e vërtetë, të flasin dhe ta mbrojnë atë./Monitor.al