Prokuroria e Fierit ka sekuestruar pasuritë e një shtetasi të dënuar për trafik droge, i cili është arrestuar në Austri për të njëjtën vepër penale.
Pasuritë e sekuestruara janë dy apartamente me sipërfaqe 138 dhe 50 m2.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Në vitin 2024, kjo prokurori regjistroi procedimin pasuror nr.4 bazuar në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar. Ky procedim është regjistruar për shkak të dyshimit të krijuar se shtetasi E.B (i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve) apo persona të lidhur më të, kanë në pronësi apo posedim pasuri që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Në funksion të procedimit pasuror, organi i akuzës ka kryer një verifikim të plotë të veprimeve ekonomike dhe juridike të shtetasit E.B dhe/ose personave të lidhur me të, me qëllim evidentimin e pasurive që këto persona zotërojnë/posedojnë, si dhe nëse këta persona kanë pasur burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive.
Pas kryerjes së verifikimeve dhe ekspertimit kontabël të tyre, ka rezultuar se ato nuk kanë burime të ligjshme për krijimin e pasurisë në zotërim apo posedim të tyre. Këto pasuri dyshohet se janë krijuar si rezultat i veprimtarisë së paligjshme pasi shtetasi E.B., ka qënë i dënuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale të “Trafikimit të narkotike” parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal. Gjithashtu, nga të dhënat e administruara gjatë hetimit shtetasi E.B., ndodhet aktualisht i arrestuar nga autoritetet Austriake, si i dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me trafikimin e narkotikëve.
Për rrjedhojë, bazuar në ligjin nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, është kërkuar në Gjykatë marrja e masës parandaluese me karakter pasuror, e cila konsiston në sekuestrimin e pasurive të paluajtëshme:
– Pasuri e llojit “apartament”, me sipërfaqe 138.3 m2; dhe
– Pasuri e llojit “apartament”, me sipërfaqe 50 m2.