Një 30-vjeçar nga Kosova ka rënë në pranga nga efektivët e policisë kufitare në Morinë, pasi u kap me drogë në makinë.
Sipas një komunikate për shtyp, policia bën me dije se i riu rezulton banues në Kosovë dhe është kapur nga kontrolli i imtësisht në vijën e dytë dhe rezultoi se kishte fshehur në mjet 7.25 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Teksa i riu do të përballet me akuzën, materialet janë referuar në Prokurori.
Njoftimi i policisë:
Morinë/Kishte fshehur një sasi lënde narkotike cannabis sativa, në automjet, arrestohet në flagrancë 30-vjeçari. Sekuestrohen lënda narkotike dhe automjeti.
Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Kukës, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin G. M.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 7.25 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin G. M. 30 vjeç, banues në Kosovë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.