Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar vendimin e kësaj Gjykate, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal për 3 punonjësit e policisë, efektivë të Seksionit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Kallëzim i rremë” për Inspektor R.B., 34 vjeç. Shtetasi është shpallur në kërkim, pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
Për Inspektor E.D., 46 vjeç, është caktuar masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Ndërsa për Inspektor F.Z., 37 vjeç, është caktuar me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Caktimi i masave të sigurimit personal ndaj punonjësve të policisë u bë i mundur nga hetimet e kryera pas kallëzimit penal të depozituar nga një shtetas, nga ku rezultoi se në datë 8 mars 2024, gjatë kryerjes së shërbimit në segmentin rrugor Tiranë–Fushë-Krujë, këta punonjës policie kanë ndaluar një automjet dhe gjatë veprimeve policore, në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme, kanë qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të tij, duke vënë në rrezik jetën e dy personave që ndodheshin në mjet. Në vijim, krahas mosraportimit të ngjarjes tek strukturat eprore, ata kanë tentuar të fshehin provat dhe faktet.
AMP thekson se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90. Për ankesa me Whatsapp: 0694151511.