Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka denoncuar çmimin e lartë të referencës për ndërtimet në Tiranë, që sipas tij ka përjashtuar subjektet e ndershme dhe nga ana tjetër ka përqendruar gjithë ndërtimin te të ‘përzgjedhurit’ e pushtetit lokal dhe atij qendror. Nga Bashkia e Tiranës, përmes një deklarate për media, Teliti tha se kemi kërkuar përgjysmimin e çmimit të referencës, por që sipas tij është hedhur poshtë nga kartonat e socialistëve në këshill.
Sipas Telitit, qëllimi është hapja e lojës së konkurrencës së ndershme mes subjekteve ndërtuese dhe ndihma për çiftet e reja në mënyrë që të përballojnë blerjen e një apartamenti në kryeqytet. Shumë operatorë dalin nga tregu dhe nuk zhvillojnë projektet, pasi ndërtimi vetëm për një ekip të ngushtë të kryebashkiakut Veliaj. Kemi kërkuar përgjysmim të taksës së ndërtimit nga 8 në 4%, e hodhi poshtë propozimin tonë dhe mbajti taksimin e rëndë të çmimit të referencës prej 8% për m2.
Shumë e rëndë, gjë e cila ka nxjerrë jashtë tregut edhe dhjetëra e qindra sipërmarrje të ndershme ndërtimi, duke e përqendruar gjithë ndërtimin në grushtin e disa njerëzve, miq oligarkë të pushtetarëve sot si në qeveri ashtu dhe bashki. Ne kërkojmë të hapim lojën e konkurrencës së ndershme midis operatorëve, ku të gjithë të garojnë për të zhvilluar Tiranën siç duhet dhe jo betonizim siç ndodh sot.
Kjo sjell dy efekte positive: Haka do shkojë te i zoti, do fitojë më i afti dhe ai që ndërton me kosto më të ulët; Me kosto më të ulët ne do të kemi çmime me të ulët për blerësit në Tiranë. Çiftet sot e kanë të pamundur për të blerë një apartament. Kjo pamundëson që çiftet të kenë mundësinë e strehimit. Kjo nuk e përmirëson, por ul disi çmimet e shitjeve dhe uljen e kostove të subjekteve.
Subjektet e pandershme u drejtohen parave të krimit, drogës e korrupsionit dhe nuk e vrasin mendjen se sa është taksa e referencës, pasi e shkarkojnë te çmimi final. Ndryshe nga të ndershmit që paguajnë shumë të mëdha në banka me kosto tejet të larta. Ne e bëjmë për të mbrojtur ndërtuesin e ndershëm.